Kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka vendosur ta festojë në mënyrë madhështore jubileun e 100-vjetorit të Nënë Terezës, duke e kthyer Tiranën në një nga kryeqytetet kryesore, ku do të përkujtohet
Kryeministri Sali Berisha priti sot në selinë e Kryeministrisë Arqipeshkvin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditën. Në takim u bisedua rreth përgatitjeve për festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.
Imzot Rrok Mirdita i paraqiti kryeministrit sugjerimin për një vlerësim të shtatores së Nënë Terezës, duke përzgjedhur një vend më të dukshëm në sheshin e kryeqytetit që mban emrin e saj. Gjithashtu u bisedua edhe mbi vendosjen dhe formën e memorialit të Nënë Terezës, i cili do të ngrihet në territorin e këtij sheshi.
Kryeministri Sali Berisha theksoi se qeveria e tij ka vendosur ta festojë në mënyrë madhështore jubileun, duke e kthyer Tiranën në një nga kryeqytetet kryesore, ku do të përkujtohet ky jubile. Në këtë takim imzot Rrok Mirdita i dhuroi kryeministrit veprën e tij themelore në tre vëllime “Për një Shqipëri me zotin”.
05/02/2010